Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme pritet një ulje e çmimit të naftës në vend.
Sipas deklaratës së tij, çmimi i dizelit mund të lirohet për rreth 2 deri në 2.5 denarë, bazuar në kalkulimet dhe lëvizjet e fundit në tregjet ndërkombëtare.
“Sipas analizave tona, pres që sot sërish dizeli të ulet përafërsisht për 2 ose 2.5 denarë. Kjo lidhet me çmimet mesatare të javës së kaluar në bursën Platts, FOB Itali, që për ne është referencë,” u shpreh Mickoski.
Megjithatë, ai paralajmëroi se në të njëjtën kohë mund të ketë një rritje të lehtë të çmimit të benzinës, edhe pse ndikimi pritet të jetë i kufizuar.
Kryeministri theksoi gjithashtu se TVSH-ja për karburantet mbetet në nivelin 10%, një masë që synon të mbajë çmimet më të përballueshme për qytetarët.
Në fund, Mickoski shtoi se institucionet do të vazhdojnë përpjekjet për të ruajtur trendin e uljes së çmimeve, duke përfshirë edhe vazhdimin e lirimit prej 3 denarësh nga kompania OKTA.
Këto zhvillime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në buxhetin e qytetarëve, sidomos në një periudhë kur çmimet e energjisë mbeten një nga shqetësimet kryesore.