Këngëtarja e njohur botërore Britney Spears është përballur me drejtësinë pasi ka pranuar fajin për vozitje të rrezikshme, pas një arrestimi të mëparshëm në Kaliforni.

Sipas autoriteteve, Spears u ndalua më 4 mars pasi po drejtonte automjetin e saj në mënyrë të çrregullt dhe me shpejtësi të lartë në një autostradë në jug të Kalifornisë.

Në seancën gjyqësore të zhvilluar të hënën, avokati i saj pranoi fajësinë në emër të saj për një akuzë më të lehtë, të njohur si “reckless driving” e lidhur me përdorimin e alkoolit apo substancave.

Si pjesë e marrëveshjes, këngëtarja do të shmangë burgun, por do të përballet me 12 muaj provë, ndjekje të detyrueshme të një programi për drejtim nën ndikim dhe pagesë gjobash.

Pas incidentit, Spears raportohet se është futur vullnetarisht në një qendër rehabilitimi, ndërsa përfaqësuesit e saj e kanë cilësuar ngjarjen si “plotësisht të papranueshme”.

Avokati i saj theksoi se ajo ka marrë përgjegjësi për veprimet dhe ka ndërmarrë hapa për ndryshim pozitiv, çka ndikoi në zbutjen e akuzës nga autoritetet.

Britney Spears, një nga yjet më të mëdhenj të pop-it në botë, u bë e famshme që në moshë të re me hite si “Baby One More Time”, “Toxic” dhe “Womanizer”.

Kjo ngjarje vjen pas një periudhe të gjatë sfidash personale për artisten, e cila për 13 vite ishte nën një kujdestari ligjore që kontrollonte jetën dhe financat e saj, deri në përfundimin e saj në vitin 2021.

Rasti ka rikthyer edhe një herë vëmendjen mbi jetën personale të këngëtares dhe sfidat me të cilat ajo është përballur jashtë skenës.